Astrit Lulushi’s Blog

Prill 15, 2010

Ndikimi i Frojdit në trajtimin e çrregullimeve mendore përmes psikoterapisë


Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Sigmund Freud (Frojd) lindi më 6 maj 1856 në Moravi, rajon në pjesën lindore të Republikës Çeke. Shumicën e jetës, Frojdi e kaloi në Vienë të Austrisë. Ai studioi për mjekësi dhe nga fundi i shekullit të XIX, doli me disa ide të reja shumë interesante rreth mendjes së njeriut. Por punimin e tij të parë shkencor Frojdi ua kushtoi kafshëve të detit, përfshi seksualitetit të ngjalave.

Fillimisht Frojdi u regjistrua në Universitetin e Vienës  si student në fakultetin  Juridik. Gjatë kësaj periudhe ai u ndikua nga teoritë darviniste, të cilat e shtynë të studionte për mjekësi. Frojdi është cilësuar si një nga mendjet më të mëdha të të gjitha kohërave.

Zigmund Frojdi ishte një nga shkencëtarët e parë që kreu kërkime serioze rreth mendjes. Mendja është mbledhja e aktiviteteve me bazë në tru, që kanë të bëjnë me mënyrës se si njeriu vepron, mendon, ndjen dhe arsyeton.

Frojdi zhvillonte bisedime të gjata me pacientë dhe studionte ëndrrat e tyre për të gjetur shkaqet e problemeve mendore dhe emocionale. Ai përdorte edhe hipnozën si mënyrë për të parë nëse pacientët do të ndihmoheshin për të lehtësuar mendjet e trazuara. Por në shumicën e rasteve efektet ishin vetëm të përkohshme.

Frojdi ishte i pari në rrugën e tij edhe pse ajo që bëri, sot mund të duket e lehtë. Ai ulej pranë pacientëve dhe dëgjonte se çfarë thonin. Pastaj i nxiste ata të flisnin rreth çdo gjëje që mendonin. Sipas Frojdit, të gjitha idetë, mendimet dhe çdo gjë që kalonte në mendjen e këtyre pacientëve ata duhej t’a shprehnin; asgjë nuk duhej lënë pa thënë për shkak të frikës, turpit ose fajit.

Frojdi besonte se të gjitha kujtimet e dhimbshme të fëmijërisë ruhen thellë pa vetëdije në mendje. Kjo pjesë e mendjes, thoshte ai, përmban urime, dëshira dhe përvoja shumë të frikëshme për t’u njohur.

Frojdi mendonte se në qoftë se këto kujtime mund të sillen disi në mendjen e vetëdijëshme, a rikujtoheshin, pacienti do të ndjente përsëri dhimbje, por këtë herë personi do t’i përjetonte si një i rritur; do t’i ndjente, shqyrtonte dhe së fundi do t’i kuptonte ato.

Frojdi arsyetonte se duke përdorur këtë metodë,  dhimbja dhe trysnia emocionale e së kaluarës do të dobësohej dukshëm; këto ndjenja do të humbisnin forcën e tyre dhe së shpejti pacienti do të ndjehej më mirë.

Frojdi doli me propozimin se mendja është e ndarë në tri pjesë: Id, Ego dhe Superego. Sipas kësaj teorie, Superego vepron si një përmbajtës që udhëhiqet nga vlerat të cilat njeriu i mëson nga prindërit dhe shoqëria. Puna e Superegos është t’a mbajë Idin nën kontroll.

Id është tërësisht pa ndjenja, por shërben si ushqim për ndjenjat që kërkojnë kënaqësinë e menjëhershme a plotësimin me çdo kusht të nevojave dhe dëshirave.

Ego – Uni ose Vetja ofron reagim të menjëhershëm për ngjarjet e realitetit. Uni është vija e parë e mbrojtjes e vetes nga tjetri. Uni përpiqet të balancojë dy ekstremet, Id dhe Superego,

Shumë nga teoritë e Freud mbi mënyrën se si funksionon mendja gjithashtu kishin lidhje të forta seksuale. Këto ide përfshinjnë atë që Frojdi i cilësoi si ndjenjat e shtypura të bijve ndaj nënave,  dhe bijave ndaj etërve.

Nëse asgjë tjetër, idetë e Frojdit ishin ndryshe. Disa i kanë hedhur poshtë ato. Të tjerë i kanë pranuar. Por askush nuk është në mosmarrëveshje rreth ndikimit të madh të Frojdit në shkencën e shëndetit mendor.

Profesor James Gray në Universitetin Amerikan në Washington, DC thotë se tre prej të ideve të mëdha të Frojdit janë ende sot pjesë e të menduarit; Idea e mendjes pa ndjenja: idea se njeriu nuk është i detyruar të dijë se çfarë e drejton a kush e udhëheq për të bërë gjërat që bën;  dhe idea se njeriu formohet në pesë vitet e para të jetës,

Doktor Frojd ishte neurolog. Ai trajtonte çrregullime të sistemit nervor. Ai mendonte se sëmundjet fizike mund t’i fshehin më thellë problemet mendore. “Mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë”.  Studimet e Frojdit lidhur me shkaqet dhe trajtimin e çrregullimeve mendore ndihmuan në lindjen e shumë ideve në psikiatri, fushë e mjekësisë që trajton kushtet mendore dhe emocionale.

Frojdi është quajtur babai i psikoanalizës, metodë e terapisë me biseda, diskutime dhe hetime të frikës së fshehur.

Sigmund Frojd përdorte shoqërimin e lirë. Ai mendonte se vetëm kështu pacientët mund të çlironin mendimet e tyre dhe të thonin çdo gjë që mendonin. Frojdi gjithashtu i nxiste pacientët të flisnin për ëndrrat e tyre në përpjekje për të shqyrtuar frikën e fshehur dhe dëshirat a pavetëdijëshme.

Të paktën deri  në fund të viteve 1950, versioni frojdian i psikoanalizës ishte ndër më të përhapurit.

Psikoanaliza është përdorur më rrallë në Shtetet e Bashkuara. Një arsye është se ky lloj trajtimi merr një kohë të gjatë, rreth pesë vjet. Pacientët zakonisht duhet të paguajnë për trajtimin e tyre dhe të pakta janë sigurimet shëndetësore që mbulojnë shpenzimet për këtë formë terapie.

Psikoanaliza ka përkrahësit dhe kritikët e saj. Shkalla e suksesit të kësaj terapie është e vështirë të matet sepse çdo rast është i ndryshëm.

Kohët e fundit, janë zhvilluar një numër variantesh të shkurtuara të terapisë psikologjike. Disa  janë terapi për sjellje, terapi njohëse, si dhe terapi njohëse – sjelljeje. Sjellja përmbledh veprimet. Njohja përmbledh dijet, të gjykuarit a të arsyetuarit

Disa pacientë në terapi duan të mësojnë për të gjetur kënaqësi  në atë që bëjnë. Të tjerë duan të largojnë nga mendja sjelljet që u sjellin probleme.

Në këto terapi, pacientët mund të bisedojnë me një terapist për të kaluarën e tyre, ose mund të këshillohen të mendojnë më pak për të kaluarën dhe më shumë për të tashmen dhe të ardhmen.

Lloje të tjera të terapisë përfshijnë ushtrime fizike, art, muzikë, sport.  Këto përdoren kryesisht për të ndihmuar pacientët që kanë probleme për të folur rreth emocioneve të tyre.

Në shumë raste, terapia kushton sot më pak se më parë. Por çmimi kushtëzohet nga kohë-zgjatja e terapisë, e cila varet nga problemi. Disa terapi, për shembull, kërkojnë  20 deri 30 vizita tek mjeku.

Ekspertët e shëndetit mendor thonë se terapitë shpesh mund të ndihmojnë pacientët që vuajnë nga depresioni, stresi apo kushte të tjera të rënda.

Për disa pacientë, një kombinim i terapisë me biseda dhe barna është i efektshëm. Kundër depresionit, ankthit dhe çrregullime të tjera mendore dhe emocionale ka shumë ilaçe të ndryshme.

Kritikët, megjithatë, thonë se mjekët janë ndonjëherë shumë të prirur për të dhënë barna, duke i lënë pak kohë psikoanalizës që të japë rezultat. Dhe përsëri, faji i hidhet kostos së lartë.

Problemet e shëndetit mendor mund të ndikojnë në punë, shkollë, martesë, dhe jetën në përgjithësi. Megjithatë, ato shpesh nuk trajtohet. Në shumë raste, njerëzit nuk duan që të tjerët të dinë se kanë probleme.

Çrregullimet mendore janë të zakonshme në të gjitha vendet. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se qindra miliona njerëz në të gjithë botën kanë probleme mendore, të sjelljes, apo çrregullime neurologjike.

Këto çrregullime janë me pasoja të mëdha ekonomike dhe shoqërore. Megjithatë, qeveritë përballen me zgjedhje të vështirë kur caktojnë fondet për sektorë të ndryshëm të kujdesit shëndetësor. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vendet më të varfëra shpenzojnë më pak se një përqind të buxheteve të tyre shëndetësore për shëndetin mendor. Një arsye tjetër kryesore është edhe mungesa e njohjes së seriozitetit të problemit, si dhe mungesa e të kuptuarit të shërbimeve ekzistuese.

Ati i psikoanalizës, Sigmund Freud, la Vjenën pak pasi trupat naziste hynë në Austri më 1938. Nazistët kishin një plan për shfarrosjen e të gjithë hebrenjëve të Evropës. Frojdi mundi të shkonte në Angli, ndërsa  katër motrat e tij qëndruan në Vienë. Ato vdiqën a u vranë në kampet naziste të përqëndrimit. .

Frojdi vdiq në moshën 83 vjeçare në Londër në shtator të vitit 1939. Ana Frojd, më e vogla nga gjashtë fëmijët e tij, u bë një psikoanaliste e njohur.

Kush apo cfare ndikoi mbi Frojdin për t’u marrë me psikologji? Biografët e tij thonë se punimi  shkencor rreth seksualitetit të ngjalave fatmirësisht nuk pati sukses, përndryshe  sot do të dihej shume pak rreth mendjes njerëzore. Para Sigmund Frojdit, asnjë shkencëtar modern nuk kishte hyrë aq thellë në mendjen e njeriut.

About these ads

2 Koment »

  1. Frojdi nuk eshte vetem babai i psikoanalizes,por ai njihet nje nder zbuluesit me te madh te planetit.Une i kam lexuar disa vepra te tij si Psikoanaliza e dashurise,-Psikoanaliza e femijeve etj.ku jam bindur se ka disa zbulime qe edhe ne praktike mund ti perdorish.Veprat e tij jan ato vepra ku ne njeqindvjecarin e fundi ende jan aktrive.

    Koment nga bumi — Nëntor 16, 2011 @ 5:06 pm | Përgjigje

  2. I nderuar z. Lulushi, i përcjell me shumë interesim shkrimet tuaja dhe mendoj se po e bëni një punë shumë të mirë në përmbushje të misionit tuaj fisnik të gazetarit. Nëse ju hyn në punë, dëshiroj t’ju inkurajoj dhe t’ju falënderoj nga zemra për punën që po e bëni!
    Me përshëndetje, Qemajl Krasniqi!

    Koment nga Qemajli — Janar 28, 2013 @ 1:08 pm | Përgjigje


Prurje RSS për komente në këtë postim. TrackBack URI

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Tema Rubric. Blog te WordPress.com.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 53 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: