Astrit Lulushi’s Blog

Korrik 13, 2010

Shkenca, fanta-shkenca dhe observatori Lowell


Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Shkrimtarët mund të shkruajnë duke përdorur imagjinatën. Por kur shkrimtarë të tillë si Zhyl Vern apo H.G. Uells, si dhe të tjerë të kohës sonë, përshkruajnë teknologji ende të panjohura, ata prodhojnë fanta-shkencë, e cila nxitet nga shkenca objektive dhe njëkohësisht bëhet udhërrëfuese e saj.  Observatori Lowell në Arizona është një nga observatorët më të vjetër në Shtetet e Bashkuara, krijuar në vitin 1894 nga Percival Lowell. Zbulimi i planetit Pluton u arrit vetëm falë ecjes në traditën e Percival Lowellit, përpjekjet dhe imagjinata  e të cilit ndryshuan historinë e astronomisë amerikane.

Percival Lowell erdhi nga një familje e Nju Englandit, me histori të herëshme në Amerikë. Statistikat tregojnë se Lowell i parë u vendos në koloninë britanike të Masaçusetsit në vitin 1639. Një prej para-ardhësve të Percival Lowell, John Cabot Lowell, ishte prodhues veshjesh dhe industrialist i madh amerikan në fund të shek. XVIII dhe fillim të shek. XIX. I ati i Percivalit, Augustus Lowell, gjithashtu ishte pronar biznesi për prodhimin e veshjeve. Ai e vendosi familjen në Boston, ku në vitin 1855 lndi Percivali.

Në moshë të re, Percival Lowell ndoqi arsimin privat në shkolla amerikane dhe në Evropë. Ai studioi matematikë në Universitetin e Harvardit. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1876, Lowell udhëtoi për një vit në Evropë dhe Lindjen e Mesme, dhe punoi si llogaritar në biznesin e familjes. Por pas disa viteve, Percival e kuptoi se nuk ishte i lumtur si biznesmen. Ai vendosi të shkojë në Japoni për të studiuar kulturën dhe gjuhën e atij vendi. Kur ndodhej në Japoni, atij iu kërkua nga qeveria amerikane që të shkonte në Kore me mision të posaçëm për të vendosur marrëdhënie tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Në 1883 Percicval Lowell shkoi në Kore si diplomat, prej nga dërgoi raporte rreth konflikteve midis trupave koreane dhe japoneze. Lowell qëndroi në Azinë Lindore për dhjetë vjet. Kur u kthye në Amerikë, ai botoi një prej 6 librave rreth çështjeve të Azisë lindore.

Percival Lowell gjithashtu interesohej shumë për astronomi. Në vitin 1893 ai shkoi edhe një herë në Tokio, dhe pastaj përfundimisht u kthye në Shtetet e Bashkuara. Këtu ai vendosi t’i kushtonte më shumë kohë vëzhgimeve të planetit Mars. Lowell kishte lexuar me vemendje studimet dhe shënimet e astronomit të njohur italian Giovanni Schiaparelli (Xhovani Skaparelli). Duke u përqëndruar në pjesët ku Skaparelli përshkruante “kanalet” e Marsit, Lowell filloi të besonte se ato ishin krijuar nga banorë marsianë.

Me fondet e veta financiare, në vitin 1894, Percival Lowell ndërtoi një observator në Flagstaff të shtetit Arizona dhe e pajisi atë me teleskopë të përparuar për atë kohë. I nxitur nga pasioni dhe imagjinata, Percival Lowell filloi një program për të vrojtuar jo vetëm Marsin, por edhe Venusin dhe Merkurin.

Percival Lowell botoi librin e tij të parë mbi planetin Mars, në vitin 1895. Në këtë libër ai paraqiti teorinë se kanalet në Mars ishin hapur nga marsianë për qëllime ujore. Sipas tij, me këto kanale  marsianët ishin përpjekur për të çuar ujin në zonat e thata e të nxehta pranë ekuadorit të Marsit. Teoritë e Percival Lowellit bazoheshin në ato që cilësoheshin studime serioze shkencore për atë kohë. Nga teoritë e tij rreth jetës në Mars u ndikuan edhe shumë shkrimtarë të librave fantastiko-shkencorë. Tre vjet pas librit të Lowellit mbi planetin Mars,  H.G Wells botoi librin e tij të njohur “Lufta e botëve.” ku  në mënyrë imagjinare përshkruhet pushtimin e Tokës nga marsianët që kishin ikur nga planeti i tyre si pasojë e thatësirës së madhe që e kishte bërë të pamundur jetën e tyre në Mars.

Teoritë e Lowellit rreth Marsi ndikuan edhe  shkrimtarin Edgar Rice Burroughs, i njohur kryesisht për librat me aaventurat e  Tarzanit. Burrough gjithashtu shkroi një seri vëllimesh për një amerikan i cili udhëtoi në Mars dhe ra në dashuri me një princeshë marsiane. Vëllimi i parë u botua në vitin  1912 me titill “Princesha e Marsi,” dhe u bë mjaft popullor.

Libri i Lowell-it, “Marsi dhe kanalet e tij,” u botua në vitin 1906. Në këtë libër, Lowell e zgjeroi teorinë e tij për jetën marsiane, duke shkruar se nëpërmjet observatorit në Arizona ai mund të shikonte ndryshimet e  stinëve në sipërfaqen e Marsit. Lowell thoshte se pamjet e errëta që mbulonin Marsin disa herë në vit ishin shenja të gjelbërimit të bimëve. Bazuar në këto shenja, Lowell krijoi  harta të qyteteve dhe kanalizimeve ujore të planetit Mars.

Shkencëtarët sot thonë se shenjat që Percival Lowell shikonte në Mars ishin iluzione optike. Ekspertët shpjegojnë se lëvizja e ajrit në  atmosferë dhe cilësitë e natyrshme të syve e bëjnë njeriun të shohë gjëra të paqena, mirazhe.

Percival Lowell u morr edhe me ndikimin e gravitetit të planetit Neptun. Ndryshime të vogla në lëvizjen e Neptunit i bënë disa astronomë të besonin se lëvizjet shkaktoheshin nga një tjetër planet në orbitën e Neptunit. Lowell e quajti atë Planeti X dhe u morr me kërkimin e tij për dy vjet nga viti 1905 deri më 1907, por pa sukses. Kërkimet i vazhdoi përsëri për disa vjet të tjera, por përsëri dështoi. Percival Lowell nuk pati mundësi të zbulonte Planetin X. Ai vdiq papritmas në nëntor, 1916.

Kërkimet për Planetin X nga Observatori Lowell u ndërprenë  për vite me rradhë. Vetëm në vitin 1925, Guy Lowell, një i afërm i Percivalit, mori kontrollin e observatori dhe iu kthye kërkimeve për Planetin X, duke vazhduar punën që kishte nisur Percival Lowell.

Në vitet në vijim, vëllai i Percivalit, Abbott Lawrence, dhuroi para për të ndërtuar një teleskop të veçantë fotografik. Teleskop i ri ishte gati në fillim të vitit 1929. Për të drejtuar teleskopin u caktua shkencëtari i ri Clyde Tombaugh (Klajd Tombah). Më 18 shkurt të 1930, Klajd zbuloi një objekt të pazakontë. Objekti lëvizte ngadalë si një planet i largët. Duke krahasuar fotografitë e marra në kohë të ndryshme të ditës e natës, Tombah arriti në përfundimin se kishte gjetur Planetin X.

Më 13 mars 1930, Clyde Tombaugh njoftoi zbulimin e planetit të ri. Kjo ditë përkonte me 75 vjetorin e lindjes së Percival Lowellit. Tombaugh vazhdoi të regjistronte e kontrollonte lëvizjet e planetit të ri për 13 vjet të tjera dhe gjatë këtij procesi zbuloi mbi 700 trupa të vegjël qiellorë apo Asteroide që rrotulloheshin në orbitën e Diellit. Klajd gjithashtu zbuloi një numër sistemesh yjore apo  Galaktika.

Gjatë jetës së tij, Percival Lowell nuk gëzoi sukses në fushën e astronomisë, siç shpresonte. Ai vdiq para se kërkimi për Planet X të rezultonte në zbulimin e planetit Pluton. Teoritë e tij për jetën dhe ujin në Mars janë hedhur poshtë. Në vitin 1965, eksplorimet e kryera nga anija Mariner e NASA-s  treguan se në Mars nuk kanë ekzistuar kanale ujorë.

Megjithatë, observatori i themeluar nga Lowell në Flagstaff të Arizonës, ka bërë shumë zbulime të tjera krahas Plutonit. Dëshmitë se gjithësia është duke u zgjeruar, u zbuluan së pari nga Observatori Lowell, ashtu si edhe zbulimi i unazës për rreth planetit Uran, janë merita të këtij Observatori

Observatori Lowell ka tani  katër teleskopë dhe vazhdon të  zgjerohet, si dhe mbështet programe për ta bërë astronominë më të kuptueshme e më të afërt për publikun.

Astronomët në Lowell e në shumë observatorë të tjerë vazhdojnë të kërkojnë për jetën përtej planetit tonë. Dhe përpjekjet e tyre zhvillohen në traditën e kërkimeve shkencore të Percival Lowellit.

About these ads

1 Koment »

  1. Kur politka e gabuar udheheq ose nese politika esht barabart me genjeshter pse popujt i besojn.kjo duhet te thot te besojm shkenctarve aty ku esht e verteta.per ket fanta shkenca esht e pa dukshme ne kohen e sotit.ne jemi perkushtar
    nxjerren e minerale si ato fosile por edhe ari nese esht toka esht me e vlefshem. Ta ruajm at Token)duhet qysh ne shkolla te ulta te mesohen planetet dhe duke njohur planetet tjer do ta dujm tonin se esht i mrekullashem me jet gjallri dhe parajs kemi ne ket bot.

    Koment nga ing.esat sadiku-xhakli — Nëntor 23, 2011 @ 6:15 pm | Përgjigje


Prurje RSS për komente në këtë postim. TrackBack URI

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Tema Rubric. Blog te WordPress.com.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 51 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: