Astrit Lulushi’s Blog

Dhjetor 3, 2008

Revolucion i ri, në shkencë

Filed under: Shkence — astritlulushi @ 12:55 am
Tags: , ,

Astrit Lulushi

butterflyeffect1Fjalët nuk janë krijesa të gjalla; ato nuk marrin frymë, nuk ecin, nuk bien në dashuri. Megjithatë, si qeniet njerëzore, ato kanë jetën e tyre. Fjalët lindin për të shprehur një kuptim; pastaj marrin kuptime të reja, që janë zgjatje të natyrëshme të kuptimeve fillestare. Në jetë njeriu meson se cdo të thotë “nxehtë” e “ftohtë”, por ndërsa fiton përvojë, ai zbulon se ka njerëz që “nxehen” dhe njerëz “të ftohtë”, por që gjendja e tyre nuk ndikohet nga temperatura.  

Gjithashtu që në moshë të herëshme njeriu mëson se cdo të thotë “pi”, por më vonë ne jetë nëse kur dikush i thotë “je i pirë”, kjo nuk don të thotë se ai ka pirë një gotë me ujë, por ka pirë alkohol deri në atë shkalle sa sjellja e tij është afektuar; ai është dehur.

E njëjta gjë ka ndodhur me fjalën “kaos” – një shprehje me kuptimin fillestar “mungesë e plotë forme, rregulli a organizimi”, Tani kjo fjalë përdoret shpesh për të treguar mungesën e një farë rregulli që ka ekzistuar më parë ose që duhej të ishte. Por megjithëse nuk e ka ruajtur kuptimin fillestar, shprehja “kaos” nuk po shkon drejt zhdukjes, përkundrazi, një nga teoritë më të reja shkencore është pagëzuar me këtë fjalë. “Teoria e Kaosit”, është emri që shkencëtarët kanë zgjedhur për të shpjeguar proceset që zhvillohen bazuar në gjasa apo probabilitet. 

“Teoria e Kaosit” – njihet tashmë si shkenca që studion rrëmujën, kompleksitetin, veprimin a sjelljen e ripërsëritur në mënyrë të shrregullt e të paparashikuar. Ajo njihet ndryshe edhe si shkenca e trazirës. Por mbi të gjitha, Teoria e Kaosit është cilësuar si revolucioni i tretë më i madh shkencor i kohës sonë, pas teorive të relativitetit dhe fizikës quantike.

ed_lorenzEdward Lorenz (1917 – 2008), njihet si nje nga krijuesit e Teorisë së Kaosit. Kur punonte pranë Institutit të Teknologjisë së Masachusetsit, MIT, në vitin 1962, Lorenz, atëhere një matematicien e meteorolog, gjate simulimit të motit në kompjuter, zbuloi aksidentalisht se një ndryshim fare i vogël që ai i kishte bërë një shifre për të thjeshtuar llogaritjet, nxorri një rezultat krejt ndryshe nga ai që kishte parashikuar. Kështu, Lorenz zbuloi se një ndryshim sado i vogël në kushtet fillestare, sjell ndryshime të mëdha në periudhë afatgjate. Me këtë Lorenz gjithashtu provoi se meteorologjia nuk është në gjendje të parashikojë motin përtej një periudhe një javore.

Idea e tij nuk pati ndonjë jehonë në qarqet shkencore, por mundi të tërheqë vemendjen vetëm pas një dekade më 1972, kur gjate një konference shkencore, Lorenz paraqiti tezën e tij duke shtruar pyetjen: A mundet që përplasja e krahëve të fluturës në Brazil të bëhet shkak për stuhi në Teksas?, dhe pasta ai shtjelloi konceptin e njohur sot si “Butterfly Effect” – Efekti Flutur. 

Për këtë teori, më 1991, Edward Lorenz u nderua me cmimin më të lartë nga Konferenca e Kyotos mbi ngrohjen globale, ndërsa Komisioni Nobel, nuk e pranoi propozimin për nderimin e tij, duk arsyetuar se Teoria e Kaosit, si shkencë e re, nuk bënte pjesë në listën e arritjeve që nderoheshin nga ky komision. 

Efekti Flutur, në vështrim të parë duket se ngjan më “Efektin Domino”. Por ndryshe nga ky i fundit ku rrëzimi i dominosë së parë shkakton rrënien me radhë të dominove të tjera, Efekti Flutur është kushti fillestar i krijimit të forcës, e cila shumëfishohet sa më larg shkon, deri sa bëhet kaotike e del jashtë kontrollit. 

chaos theoryTeoria e Kaosit, përdoret sot si model për kuptimin e fenomeneve jolineare në thuajse të gjitha fushat e shkencave të aplikuara, përfshi astronimi, biologji, ekonomi e deri ne telekomunikim e shkencat shoqërore. Një hap përpara në ketë drejtim duket se ka hedhur edhe mjekësisa ku shkencëtarët, duke vëzhguar lëvizjen e neuroneve tek pacientët me epilepsy, përpiqen të parashikojnë afrimin e krizave epileptike, për të ndërhyrë pastaj me ilace për t’i shmangur ato. 

Për shkencat shoqërore, fundi i shekullit të XX dhe fillimi i shek.XXI, përbëjnë periudhën me zhvillime ndoshta nga më të paparashikueshmet në histori. Për shembull, në vitet ’90, ndërsa bota kishte hyrë në periudhën e integrimeve, në shumë pjesë të saj morën hov lëvizje separatiste; federata thuajse 100 vjecare, si Bashkimi Sovjetik e Jugosllavia, Cekoslovakia u shpërbënë, përmbysje sistemesh ndodhën; trazira, luftra dhe në fund krijimi i shteteve të reja si Timori lindor e Kosova.

Në vitin 1981, në Prishtinë, një grup të rinjsh studentë u hodhën në demonstrata duke arritur të zgjojnë ndërgjegjen e mbarë popullatës. Ata u bënë gjithashtu forca fillestare per zhvillime te tjera te njepasnjëshme në mbarë Jugosllavine deri ne shperberjen e saj. Kështu ndodhi edhe me rrënien e komunizmit në Evropën Lindore. Një grevë punëtorësh në Gdansk, krijoi forcën fillestare që nevojitej për të përgatitur stuhinë në mbarë Evropën lindore. 

Ndoshta përmes Teorisë së Kaosit, shkencëtarët një ditë do të arrijnë të shpjegojnë fenomene të tilla si gjakmarrja e korrupsioni, apo përse shpesh 2 vende megjithëse me sisteme të ngjashme qeverisëse apo dy njerëz me të njëjtat aftësi e ne kushte të barabarta, njëri bëhet i suksesshëm e tjetri jo. A është fati i tyre rastësi a probabilitet? Sepse pas udhëtimit të përbashkët ata mbërrijnë atje ku rruga degëzohet dhe pas kësaj cdo gjë varet nga zgjedhja që secili bën, ashtu sic shkruan Frosti: “Dy rrugë ndaheshin në pyll, e unë/Unë mora atë më pak të shkelur./Dhe kjo ndryshoi gjithcka”.

 

Advertisements

3 Koment »

  1. Urime Astrit,

    Nuk ka asnje befasi: blogu juaj pritej te ishte i pasur, i lloj-llojshem dhe kendshem.
    Eshte dicka shume e gjetur nderthurja, ne keto lloj shkrimesh me karakter informues-shkencor, edhe e fenomeneve socio-politike dhe kulturore. Efekti flutur, apo ai domino, jane vertete dicka qe zgjojne kureshtje dhe interes per menyren e njohjes se atyre qe ndodhin ne natyre dhe shoqeri.
    Por…ti e di qe une s’rri dot pa ju pyetur: ku e keni sesionin e analizave dhe persiatjeve tuaja per letersine?! Apo une nuk arrita ta gjeja ne kete moment te pare kqyrjeje?!

    urime,

    faruk myrtaj

    Koment nga faruk myrtaj — Dhjetor 5, 2008 @ 4:13 pm | Përgjigjjuni

  2. z. Astrit jeni i mrekullueshem me informacionet tuaja, urime dhe gjithnje suksese.

    Koment nga Agimi — Tetor 16, 2009 @ 8:37 am | Përgjigjjuni

  3. Urime… më pëlqen .

    Koment nga valina — Nëntor 4, 2009 @ 11:36 pm | Përgjigjjuni


RSS feed for comments on this post. TrackBack URI

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Blog te WordPress.com.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: