Astrit Lulushi’s Blog

Shkurt 16, 2010

Aktori Xhim Belushi në fushatë kundër sëmundjes kronike të bllokimit të mushkërive (COPD)


Aktori Xhim Belushi në fushatë kundër sëmundjes kronike të mushkërive
Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Më shumë se 24 milionë amerikanë vuajnë nga Sëmundja Kronike e Bllokimit të Mushkërive, ose COPD. Por gjysma e tyre nuk e dinë se e kanë këtë sëmundje dhe mbeten të pa-diagnostikuar. Aktori i njohur Jim Belushi, ishte dje në qytetin e Pentagonit, një nga ndalesat e tij gjatë udhëtimit me automobil përgjatë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese kundër kësaj sëmundjes. Fushata kundër sëmundjes së bllokimit të mushkërive është një nga ato veprimtari, tashmë traditë, ku njerëz të suksesshëm në tregti, biznes, apo idhuj në art e kulturë ndajnë me shoqërinë në forma e mënyra të ndryshme të mirat e fituara. Kështu ndodhi dje në qytetin e Pentagonit, pak kilometra nga Uashingtoni, ku aktori i njohur Xhim Belushi u paraqit në qëndrën tregtare duke tërhequr vemendjen a zgjuar vetëdijen e shumë njerëzve, se sëmundja kronike e bllokimit të mushkërive, prek cilësinë e jetës dhe nëse nuk trajtohet bëhet vdekjeprurëse.

Aktori Belushi solli përvojën rreth kësaj sëmundjeje, duke treguar kujtime nga fëmijëria kur i ati i tij vuante nga kolla e vazhdueshme. “Ne të gjithë dilnim nga dhoma kur e zinte kolla. Po ai ishte kokëfortë dhe asnjë nuk guxonte t’i thoshte të shkonte të vizitohej tek mjeku. Gjithmonë thoshte se nuk kishte gjë dhe në fund vdiq nga kjo sëmundje kronike e mushkërive”, tregon Xhim Belushi.

Më shumë se 24 milionë amerikanë vuajnë nga sëmundja kronike e bllokimit të mushkërive, por rreth 12 milionë prej tyre mbeten të pa-diagnostikuar, pasi nuk shkojnë tek mjeku.
Sëmundja kronike e bllokimit të mushkërive shfaqet në dy forma; si Bronkit kronik, i shoqëruar nga një kollë e mukozë; dhe si Emfizemë, që me kalimin e kohës sjell shkatërrimin e mushkërive.

Miriam O’Day, e Fondacionit kundër sëmundjes kronike të bllokimit të mushkërive thotë se kjo sëmundje nuk ka shërim, por simptomat e saj mund të lehtësohen. Problemi është se shumë njerëz e trajtojnë atë thjeshtë si një kollë që do të kalojë. Personat me këtë sëmundje nuk duhet të pijnë duhan dhe kjo është mënyra më e mirë për të ngadalësuar dëmtimin e mushkërive.

Qyteti i Pentagonit përfshihet në kontenë e Arlingtonit. Barbara Favola, e këshillit të shëndetësisë të Arlingtonit, thotë se shumë njerëz vuajnë nga sëmundja kronike e bllokimit të mushërive por shpesh edhe mjekët i identifikojnë simptomat e saj me astmën.

Barnat që përdoren në trajtimin e sëmundjes kronike të bllokimit të mushkërive janë, veç antibiotikëve që luftojnë pezmatimet, edhe barnat për zhbllokimin e rrugëve të frymëmarrjes si Atrovent, Spiriva, Serevent e Foradil. Në raste të rënda për të shmangur pezmatimin e mushërive, pacienti mund të ketë nevojë të marrë Steroid nga goja ose nëpërmjet venave. Edhe terapia me Oksigjen në shtëpi mund të jetë e nevojshme në qoftë se një person ka nivel të ulët të oksigjenit në gjak. Gjithashtu ekzistojnë programe që u mësojnë pacientëve se si të marrin frymë pa i lodhur muskujt e mushkërive. Ekspertët thonë se programe të tilla gjithashtu u mësojnë njerëzve se si t’i përdorin ilaçet më me efektivitet. Disa nga masat e tjera janë edhe shmangia e ajrit shumë të ftohtë; mos qëndrimi në vendet ku pihet duhani dhe pakësimi i ndotjes së ajrit nga tymi i vatrave apo sobave në shtëpi.

Ndërkohë, aktori Belushi vazhdoi dje për disa orë dhënien e autografëve për vizitorët që kishin ardhur për t’a takuar dhe për të kontrolluar mushkëritë e tyre. Fama e Belushit si aktor, bëri që numri i vizitorëve të ishte i madh. Por një gjë që shumë amerikanë nuk e dinë është se që nga tetori i vitit të kaluar, Xhim Belushi është edhe shtetas shqiptar. Belushi i tha Zërit të Amerikës se mirë do të ishte që fushata të ngjashme ndërgjegjësim të njerëzve rreth shëndetiti të zhvilloheshin edhe në Shqipëri, ku njerëzit e talentuar e të suksesshëm nuk mungojnë e mund të luajnë rol pozitiv në këtë drejtim. Lidhur me ndonjë projekt të mundshëm bashkëpunimi me industrinë shqiptare të filmit, Belushi tha se “tani-për-tani nuk ekziston ndonjë plan, por shpresoj, sepse Shqipëria ka regjisorë e aktorë shumë të talentuar krahas të cilëve do të interpretoja me kënaqësi”.

Reklama

Lini një Koment »

Ende pa komente.

RSS feed for comments on this post. TrackBack URI

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Krijoni një sajt ose blog falas te WordPress.com.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: