Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Pranvera është në lulëzim të plotë, por për shumë njerëz me alergji, kjo stinë është edhe e keqe; hundë që rrjedhin, teshtitje, sy të skuqur e të përlotur. Të gjitha këto fillojnë me pranverën. Statistikat tregojnë se pranvera e vitit të kaluar ishte më e keqja përsa i përket alergjive. Por ky vit, si pasojë e dimrit me borë dhe shirave të shumtë në fillim të pranverës, parashikohet të jetë edhe më i keq për njerëzit me alergji dhe të tjerë në rrezik për t’u prekur. Në kërkim të shkaqeve të shtimit të rasteve të alergjive, shkencëtarët matën temperaturat dhe nivelin e polenit në 10 zona në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, nga viti 1995 deri më 2009. Gjatë vëzhgimeve, ata vunë re se temperaturat e larta shkaktojnë teshtitjen tek njerëzit. Shkencëtarët mendojnë se mund të kenë gjetur një lidhje midis temperaturës dhe shëndetit. Ata thonë se ndërsa temperatura e globit rritet, po ashtë rritet edhe indeksi i vuajtjes së personave me alergji. Duket se shtimi i dioksidit të karbonit ndikon jo vetëm në ngritjen e temperaturës. Doktor David Land i Klinikës së Klevelandit thotë se rritja e temperaturës shpejton rritjen e bimëve kështu që ato bëhen të afta për të prodhuar më shumë polen dhe si rrjedhim më shumë njerëz me alergji.
Lini një Përgjigje