Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Është e vërtetë se shumë njerëz e kanë të vështirë të përmbahen kur është fjala për të ngrënë një ushqim të caktuar. Edhe pse e dinë se nuk është mirë për shëndetin e tyre, ata vazhdojnë të hanë dhe pak nga pak, një ditë shqetësohen se janë mbi peshë. Në qëndrën Rud të universitetit Yale, shkencëtarët mendojnë se problemi i varësisë nga ushqimi është psikologjik. Ata besojnë se disa substanca të caktuara kimike në ushqime si sheqer e yndyrë, mund të krijojnë varësi njësoj si duhani, alkoholi a droga.
Për të parë reagimin e trurit, shkencëtarët në universitetin e shtetit Oregon vëzhguan dy grupe; në njërin u përfshinë persona që nuk përmbaheshin ndaj ushqimeve të ëmbëla; dhe në grupin tjetër persona që nuk e kishin këtë problem. Ata të gjithë kaluan nëpër aparate skanimi të trurit.
Drejtuesja e programit për politikën e ushqimit dhe obesitetin, Ashley Gerhardt thotë se nga të dhënat e grumbulluara doli se tek personat e ndërvarur ndaj ushqimeve të ëmbëla, në zonat e trurit përgjegjëse për krijimin e varësive, u vu re një intensitet shumë i lartë, në krahasim me personat e grupit tjetër.
Bazuar në të dhënat, disa persona të caktuar janë të varur nga disa lloj ushqimesh dhe se problemi duhet kërkuar jo në stomak por në tru.
Lini një Përgjigje