Astrit Lulushi’s Blog

Tetor 12, 2011

Çmimi Nobel në Mjekësi (pak histori)


Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes

Çmimi Nobel në Fiziologji ose Mjekësi i administruar nga Fondacioni Nobel, jepet një herë në vit për zbulime të rëndësishme në fushën e shkencës së jetës dhe mjekësi.

Ky është një nga pesë Çmimet Nobel themeluar në vitin 1895 nga kimisti suedez Alfred Nobel (1833- 1896), autor i rreth 350 shpikjeve, por më i famshëm për shpikjen e dinamitit.

Në vitin 1888, Nobel u befasua kur lexoi nekrologjinë e vet me titull “Vdiq tregtari i vdekjes”, në një gazetë franceze. Në fakt kishte vdekur vëllai i tij, Ludvig, por Nobel i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimit dhe i shqetësuar se si do t’a kujtonin kur të vdiste, vendosi të ndryshonte testamentin.(wikipedia)

Nobel ishte i interesuar personalisht në fiziologji eksperimentale dhe në testament kërkoi që kur të vdiste, me pasurinë e tij të krijohej edhe një çmim për përparime përmes zbulimeve shkencore në laboratore “për të mirën e mbarë njerëzimit”, krahas çmimeve për Fizikë, Kimi, Letërsi dhe Paqe.

(Çmimi për Ekonomi u krijua nga Akademia Suedeze e Shkencave më 1969 për nder të Nobelit, dhe quhet i tillë edhe sepse jepet në të njëjtën ditë me 5 çmimet e tjera Nobel.)

Çmimi Nobel në Fiziologji ose Mjekësi i paraqitet marrësit ose marrësve (jo më shumë se tre) në një ceremoni vjetore më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Nobelit, së bashku me një diplomë dhe një vërtetim për çmim monetar. Ana e përparme e medaljes tregon profilin e njëjtë të Alfred Nobel përshkruar si në medaljet për Fizikë, Kimi, dhe Letërsi, ana e pasme është e vecantë për medaljen në Mjekësi.

Që nga 2011, 102 Çmimet Nobel në fiziologji ose Mjekësi janë dhënë për 199 burra dhe 10 gra. Për herë të parë Çmimi Nobel në Fiziologji ose Mjekësisë u dha në vitin 1901 për fiziologun gjerman Emil Adolf von Behring, për punën e tij në terapi me serum dhe zhvillimin e një vaksine kundër difterisë.

Gruaja e parë e nderuar me Çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi, ishte Gerty Cori, në vitin 1947 për rolin e saj në qartësimin e metabolizmit të glukozës, me rëndësi në shumë aspekte të mjekësisë, duke përfshirë trajtimin e diabetit.

Në vitin 2011, Çmimi iu dha Bruce Beutler të Shteteve të Bashkuara dhe Jules A. Hoffmann të Francës për zbulimet e tyre në lidhje me aktivizimin e imunitetit të lindur, dhe Ralph M. Steinman të Kanadasë për zbulimin e qelizës degëzuese dhe rolin e saj në imunitetin e përshtatur. Steinman nuk arriti t’a gëzonte këtë lajm, por çmimi i mbeti. Ai vdiq disa orë para shpalljes së çmimit, ndërsa komisioni Nobel e kishte marrë këtë vendim kur Steinman ishte gjallë.

Disa çmime kanë qenë të diskutueshme. Kjo përfshin një për António Egas Moniz në vitin 1949 për leucotomi paraballore, pavarësisht protestave nga qarqet mjekësore.

Kundërshtime të tjera kanë rezultuar nga mosmarrëveshjet mbi atë se kush është përfshirë në çmim. Çmimi për Selman Waksman në vitin 1953 u vendos në gjykatë, dhe gjysma e të drejtave të patentës, por jo gjysma e çmimit, iu dha bashkë-zbuluesit Albert Schatz.

Çmimi i dhënë për James D. Watson, Francis Crick dhe Maurice Wilkins për punën e tyre në strukturën e ADN-së më 1962 nuk njohu me çmim punën e kontribuar nga të tjerët, si Oswald Avery dhe Rosalind Franklin, për shkak të rregullores së komisionit Nobel.

Rregullat për Çmimin Nobel ndalojnë dhënien e çmimit personave të vdekur para marrjes së vendimit, dhe një çmim jepet deri 50 vjet pas zbulimit. Gjithashtu është e ndaluar dhënia e një çmimi për më shumë se 3 persona njëherësh, edhe pse që nga gjysma e shekullit të kaluar ka patur një prirje në rritje të shkencëtarëve për të punuar në grupe.

Advertisements

Lini një Koment »

Ende pa komente.

RSS feed for comments on this post. TrackBack URI

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Blog te WordPress.com.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: