Astrit Lulushi’s Blog

Maj 30, 2012

Paradoksi i kujtesës


Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Pse disa kanë kujtesë të mirë e disa, të keqe? Të pyesësh dikë se çfarë ka ngrënë për darkë si sot një javë, gjasat janë se nuk mban mend. Por çfarë ka ngrënë një vakt më parë e di saktësisht. Çfarë ndodhi me kujtesën e para një jave? A u venit ajo, apo u zhduk përgjithmonë?

Kujtimet e imazheve vizuale quhen kujtesë pamore. Këtë lloj kujtese mendja e përdor për të kryer llogaritjet e thjeshta ose për të kujtuar fytyrën e dikujt që e ka parë dikur. Thjesht, pa kujtesë vizuale, njeriu nuk është në gjendje të ruajë dhe risjellë në mendje ato që ka parë. Ashtu si kapaciteti i kujtesës së një kompjuteri kufizon aftësitë e tij, edhe kapaciteti i kujtesës vizuale të njeriut lidhet me një numër aftësish njohëse, përfshi suksesin akademik, inteligjencën apo aftësinë për të zgjidhur probleme të vështira dhe aftësinë e nxjerrjes së kuptimit të përgjithshëm të diçkaje. Pra, kujtesa vizuale i lehtëson veprimet mendore, dhe kur ajo mungon, i kufizon ato.

Këto çështje ka kohë që debatohen, por vetëm kohët e fundit shkencëtarët po përpiqen t’u japin përgjigje.

Ata thonë se kujtimet si ajo se ‘çfarë ka ngrënë tjetri për darkë para një jave ‘ ruhen në kujtesën vizuale afatshkurtër, veçanërisht, në llojin e asaj të quajtur “kujtesë vizuale në veprim”. Kjo ndodh kur imazhet ruhen përkohësisht, ndërsa mendja punon në detyra të tjera – e ngjashme me një tabelë ku fjalët shkruhen dhe pastaj fshihen. Njeriu mbështetet në ‘kujtesën vizuale në veprim’, si nxënësi në ato që mësuesja shkruan në dërrasën e zezë apo studenti në shënimet e tij të shpejta të çastit ndërsa ndjek leksionin.

Pyetja është: ku shkojnë kujtimet që humbasin? A lënë ato gjurmë apo asgjë mbetet prej tyre?

Psikologët ne universitetin e Kalifornisë në Davis kryen një eksperiment ku pjesëmarrësve iu treguan në ekran 3 objekte me ngjyra të ndryshme. Ata kishin një detyrë e thjeshtë: të kujtonin ngjyrën e një prej objekteve pa e ditur paraprakisht se cili objekt do t’u kërkohej të mbanin mend, për të mos përdorur kështu ‘kujtesën vizuale në veprim’.

Ajo që ndodhi ishte se pjesmarrësit u treguan të saktë ose përdorën hamendjen, që do të thotë se e ruajtën me saktësi ngjyrën në kujtesë ose e harruan plotësisht atë. Shkencëtarët e krahasojnë këtë me mesazhin në postën elektronike që personi e mban në dosje ose e dërgon në kosh, ku ruhet për një farë kohe dhe pastaj zhduket.

Por kjo nuk është e vërtetë për të gjitha kujtimet. Në një studim tjetër, shkencëtarët në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit dhe në universitetin e Harvardit arritën në përfundimin se në qoftë se një kujtesë mbijeton për një kohë të caktuar, ajo bëhet “kujtesë afatgjatë” ose e përherëshme dhe nuk shuhet kurrë.

Çfarë ndikon që një imazh të ruhet në kujtësën afatgjatë ose afatshkurtër? Shkencëtarët argumentojnë se faktori kyç është se sa kuptimplotë janë imazhet dhe nëse përmbajtja e imazheve lidhet me njohuritë paraprake që njeriu ka rreth tyre. Pra, kujtesa bazohet në kujtesën e kujtesës së kujtesës…..

Shkencëtarët sugjerojnë se kujtimet nuk zhduken të gjitha njësoj ose njëherësh, dhe secdisa kujtime nuk eleminohen kurrë. Kjo mund të shpjegojë, pse disa gjëra harrohen plotësisht e të tjerat kujtohen tmerrësisht.

Thuhet se kur vdes, njeriu nuk kujton asgjë. Pra, nëse kujtimet janë të rëndësishme për jetën, atëherë mungesa e tyre duhet të shpjerë në mosfunksionim. Por edhe kujtimet që krijojnë shumë emocione duket se sjellin po aq paaftësi. Kujtimet më dëshpërojnë dhe sepse kujtoj, detyra ime është t’a mposht dëshpërimin, do të shprehej Elie Wiesel, mbijetues i Holokaustit.

Advertisements

Lini një Koment »

Ende pa komente.

RSS feed for comments on this post. TrackBack URI

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Krijoni një sajt ose blog falas te WordPress.com.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: