Astrit Lulushi’s Blog

Shkurt 17, 2013

Çështje të evolucionit; seleksionim i balancuar vs. seleksionim i më të mirit


Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

human chimpNjë analizim i gjërë i gjenomit në kërkim për dëshmi të seleksionimit balancues – ku procesi evolutiv nuk vepron për të zgjedhur përshtatjen e vetme më të mirë, por për të ruajtur variacionin gjenetik në një popullatë, – ka zbuluar të paktën gjashtë zona të gjenomit ku njerëzit dhe shimpanzetë kanë të njëjtin kombinim të varianteve gjenetike.

Rezultatet e studimit, botuar më 14 shkurt në revistën Science, tregojnë se këto zona datojnë që nga një paraardhës i përbashkët para ndarjes së specieve rreth 85 milionë vjet më parë.

Përzgjedhja e balancuar lejon evolucionin të mbajë hapur të gjitha mundësitë apo alternativat për zhvillim. Shembulli klasik tek njeriu është këmbëngulja e dy versioneve të gjenit të hemoglobinës: një version është gjen normal dhe tjetri është gjen hemoglobinë S – një mutacion që shtrembëron formën dhe funksionin e qelizave të kuqe të gjakut.

– Njerëzit që trashëgojnë dy gjenet normale të hemoglobinës janë në rrezik të lartë për malarie – sëmundje parazitare që infekton më shumë se 200 milion njerëz çdo vit.
– Ata që trashëgojnë një gjen normal dhe një gjen hemoglobinë S janë të mbrojtur pjesërisht nga malaria – përfitim që mund të shpëtojë jetën.
– Ata me dy kopje të gjenit hemoglobinë S vuajnë gjithë jetën nga anemia – sëmundje serioze e gjakut.

Shkencëtarët përdorën të dhënat gjenetike nga 10 shimpanze nga Afrika Perëndimore dhe nga 59 njerëz nga nën-Sahara. Ata shikuan për rastet në të cilat variacionet gjenetike që rrjedhin nga paraardhësit e njerëzve dhe shimpanzeve janë ruajtur nëpërmjet dy linjave tek të dy speciet. Fakti që variacioni në këto rajone të gjenomit ka vazhduar për kaq kohë argumenton se një varacion i tillë duhet të ketë qenë funksionalisht i rëndësishëm gjatë periudhës së evolucionit.

Shkencëtarë nga Universiteti i Çikagos dhe Universiteti i Oksfordit, që kryen studimin, gjithësesi, tregohen tepër të kujdesshëm në interpretimin e rezultateve. Ata thonë se rastet ku përzgjedhja natyrore ruan variacionin gjenetik në një popullsi gjatë miliona viteve mendohet të jenë jashtëzakonisht të rralla. Shembulli më i vjetër dhe më i njohur i polymorphismit të balancuar të përbashkët mes njerëzve dhe shimpanzeve është ai që ndihmon sistemin imun të bëjë dallimin midis trupit dhe pushtuesve të mundshëm, të tillë si bakteret apo viruset.

Kur njerëzit migruan në një mjedis të ri – si për shembull, eksodi nga Afrika në Evropën veriore – ata u përballën së pari me sfidën se si t’i përshateshin motit me më pak dielli. Gjatë shumë brezave, organizmi i pasardhësve të tyre arriti të ulë prodhimin e melaninës – përshtatje e qëndrueshme për një mjedis statik.

Shkencëtarët thonë se lufta kundër patogjeneve është edhe më dinamike. Ajo i ngjan një gare armatimesh. Kështu, përzgjedhja e balancuar mund t’i ketë bërë njerëzit dhe shimpanzetë të ruajnë linja të shumta mbrojtjeje, ndërsa një patogjen – mikroorganizëm, virus, mikrob – evoluon armë të reja.

Autorët e studimit besojnë se bashkë-evoluimi dinamik i njeriut dhe patogjeneve të tij ka luajtur rol të rëndësishëm në formimin e llojshmërisë apo larmisë njerëzore dhe kjo nxjerr në dukje se seleksionimi në evolucionin e njeriut është ndikuar edhe nga lloje të tjera presionesh.

Lini një Koment »

Ende pa komente.

RSS feed for comments on this post. TrackBack URI

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Blog te WordPress.com.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: