Astrit Lulushi’s Blog

15 Gusht, 2013

Facebook dhe dëshpërim


Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

fbKush mendon se Facebook-u është mënyrë e mirë për të qëndruar në kontakt me miqtë, nuk është vetëm. Më shumë se një miliard njerëz përdorin këtë rrjet shoqërimi virtual.

Por tani, një studim i ri tregon se e gjithë kjo lidhshmëri me njëri-tjetrin nuk i bën njerëzit të ndjehen më mirë apo të gëzuar.

“Të pëlqen një gjë?” – zgjidh “like”. Nëse ke për të thënë diçka – klik “comment” dhe shkruaj. Lehtësia është e madhe, por a sjell kjo kënaqësi? “Ndoshta jo”- përgjigjet studimi i ri nga shkencëtarë të Universitetit të Miçiganit, të cilët zbuluan se sa më shumë kohë që njeriu shpenzon në “Facebook“, aq më pak gjasa ka që të ndjehet mirë.

Shkencëtarët shqyrtuan për 2 javë, 82 të rinj e të reja- që ishin përdorues aktivë të Facebook-ut nëpërmjet aplikimit “facebook mobile” në telefon.

Rezultatet treguan se personat që u angazhuan më shpesh në Facebook, ndjeheshin më të dëshpëruar, më të mërzitur, më melankolikë – ata gjithashtu thanë se ishin më pak të kënaqur me jetën e tyre reale në përgjithësi, në krahasim me të tjerët që e përdornin me pak këtë rrjet social.

Ekspertët thonë se një nga arsyet për pakënaqësi mund të jetë zilia që njeriu provon kur sheh se profili i tjetrit në facebook është më i mirë se i veti – gjithashtu duke shpenzuar shumë kohë në facebook, njeriu shkëputet nga jeta e botës reale dhe kjo e bën të ndjehet keq a i vetmuar.

Studimi nuk këshillon që njerëzit të mbyllin llogarinë në facebook, por as nuk duhet të harrojnë jetën reale, ku lidhjet dhe kontaktet e vërteta janë gjithashtu të rëndësishme.

3 Koment »

  1. […] Facebook dhe dëshpërim – nga Astrit Lulushi […]

    Pingback nga Facebook dhe dëshpërim | instinkt — 23 Gusht, 2013 @ 8:36 am | Përgjigjuni

  2. Shume e vertet. Facebook dhe smartphone jane zbulimet me te keqija deri me sot!!

    Koment nga Neby Bomi — 12 Janar, 2014 @ 10:46 am | Përgjigjuni

  3. E riblogoi këtë te alfrednela.

    Koment nga Alfred Nela — 19 Maj, 2016 @ 2:48 pm | Përgjigjuni


RSS feed for comments on this post. TrackBack URI

Lini një koment

Blog te WordPress.com.