Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Sipas një raporti të ri nga Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, gjatë vitit 2008 në Shtetet e Bashkuara ka pasur mbi 28-mijë lindje në shtëpi ose 20 përqind më shumë sesa në vitin 2004. Lindjet në shtëpi ende përbëjnë më pak se një për qind të lindjeve në SHBA, por e reja që sjell raporti është se këto shifra janë më të lartat që nga viti 1990 dhe se kjo rritje vihet re më se shumti mes grave të bardha jo-hispanike.
Në vitin 2008, një dekalaratë e Kongresit të gjinekologëve amerikanë paralajmëronte anëtarët e vet që të mos bëhen aspak pjesë e lindjeve në shtëpi që raporti e quan një lëvizjeje ‘trendy” ose modë. Paralajmërimi lëshuar nga Kongresi i gjinekologëve duket se ka pasur efektet e veta. Për shembull, në qytetin e Nju Jorkut, ligjërisht, mamitë duhen patjetër të kenë lidhje me një spital dhe nuk mund të veprojnë privatisht. Por edhe siguria e lindjeve në spitale mund të vihet në pikëpyetje. SHBA-të shpenzojnë shuma të mëdha lidhur me shtatzanitë dhe maternitetet, megjithatë sipas një studimi të vitit 2008 dhe botuar në revistën prestigjioze mjekësore britanike Lancet, Shtetet e Bashkuara kanë një prej niveleve më të larta të vdekshmërisë gjatë lindjeve mes vendeve të industrializuara, duke u renditur në vendin e 39.
Lini një Përgjigje