Astrit Lulushi’s Blog

Qershor 3, 2011

Eksperiment, SHBA; Për herë të parë, një pacient i paralizuar trajtohet me qeliza embrionale


Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Pas shumë terapive fizike, një pacient i paralizuar vendosi të dalë vullnetar për trajtimin eksperimental me qeliza embrionale, trajtim që ai sheh si të vetmen shpresë për të ardhmen e tij. T-J Atchinson – dikur vrapues i garave të shpejta – tani i paralizuar, është personi i parë në Shtetet e Bashkuara që po trajtohet me qeliza embrionale, një çështje kaq shumë e debatuar.

Trajtimi me qeliza embrionale ishte ëndrra e aktorit Kristofer Reeve, që ishte paralizuar pas rrëzimit nga kali. Protagonisti i filmit “Superman” u përpoq shumë për një terapi të tillë, por nuk arriti të përfitojë prej saj. Ai vdiq në vitin 2004.

T-J Atchinson shpreson se po jeton të njëjtën ëndërr. Dikur atlet vrapues, sot ai është i paralizuar si pasojë e një aksidenti të rëndë me makinë.

Mjekët i thanë se ai nuk do të jetë në gjendje të ecë kurrë më. Pastaj i thanë se ai ishte kandidat për t’iu nënshtruar eksperimentit me qeliza embrionale. Atchinson pranoi të bëhet një “laborator shprese” për njerëzit me shtyllë të dëmtuar kurrizore.

Eksperimenti u krye në qendrën mjekësore Shepherd në Atlanta. Drejtori i kësaj qendre, mjeku Donald Leslie thotë se qëllimi i eksperimentit është për të kuruar paralizën, që njerëzit me lëndime në shtyllën kurrizore të mos trajtohen si pacientë pa shpresë shërimi.

Gjatë procedurës, kirurgët hapën plagën dhe injektuan me shiringë qelizat embrionale. Mjekët shpresojnë se këto qeliza të përgjithëshme do të transformohen në qeliza të reja nervore dhe do t’u bashkohen muskujve duke “rindezur” sistemin nervor të Atchinsonit. Eksperimente të ngjashme me kafshë në laborator kane dhënë rezultate pozitive; kafshë me shtyllë kurrizore të dëmtuar, janë rimëkëmbur

Nëna e Atchinsonit, Anita, thotë se disa njerëz kundërshtojnë – mbi baza fetare – terapinë me qeliza embrionale, por ajo mendon se ky kundërshtim është i pa-arsyeshëm. “Këta njerëz do të mendonin ndryshe po të ishin në pozitat e djalit tim”, thotë Anita.

Roli i Atchinsonit në këtë eksperiment është vetëm për të provuar se procedura është pa rrezik. Por ai shpreson se kjo procedurë do të jetë edhe përfituese; ai mund të ecë përsëri, si dhe do të hapet rruga për trajtimin e të paralizuarve të tjerë.

Tani, 6 muaj pas procedurës, Atchinson thotë se ka filluar të ndjejë këmbët e veta dhe kjo i jep shpresa se do të jetë në gjendje jo vetëm të ecë, por edhe të vrapojë përsëri.

Advertisements

1 Koment »

  1. Te shkrimet e Astrit Lulushit mund te shkosh si tek mesuesi i klases se pare: duke supozuar se nuk di asgje, por je gati te mesosh gjithcka mundet, ne to gjen informacion dhe merr njohuri te larmishme, meson gjera fare te thjeshta pa te cilat s’ke mundur te besh sa do deshiroje me tej, vendos kontakte me tere fushat e jetes dhe te artit, dhe behesh me i vetedijshem per ate cfare eshte trupi dhe mendja dhe shpirti yt…

    Rasti ne fjale, nje atlet i njohur qe eshte privuar nga gjeja me e vlefshme dhe me e shtrenjte e tij, pranon qe te vazhdoje rrugetimin e tij njerezor duke “vrapuar” ne menyre tjeter tashme: duke e vene ne dispozicion te njerezimit dhimbjen e tij!

    Natyrshem ai eshte shnderruar ne simbol te njerezimit: arrijme dicka qe do ta gezojne te tjeret!

    Ne shkrimet e Astrit Lulushit gjen papushim prurje e situata te tilla.

    faruk myrtaj

    Koment nga faruk myrtaj — Qershor 3, 2011 @ 11:55 pm | Përgjigjjuni


RSS feed for comments on this post. TrackBack URI

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Blog te WordPress.com.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: